Maratona “Solidariteti për Ushqim” u organizua të Dielën, me datë 13 Tetor, si një ngjarje sportive dhe sensibilizuese, nga “Food Bank Albania” dhe “Federata Shqiptare e Sportit Universitar”, për të harmonizuar dy data shumë të rëndësishme: Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Humbjet dhe Mbetjet e Ushqimit (29 Shtator) me Javën Evropiane të Sportit (23-30 Shtator).
E planifikuar të zhvillohej me datë 29 Shtator, por e shtyrë për shkak të kushteve të klimës, përgjatë të Dielës së 13 Tetorit, maratona “Solidariteti për Ushqim” pati rreth 500 pjesëmarrës: studentë, të rinj, të pasionuar pas sportit dhe të interesuar mbi nismën e ndërgjegjësimit të humbjeve ushqimore. Nisja u realizua nga diga e liqenit artificial të Tiranës dhe itinerari përfshiu rrugën rreth e qark liqenit, duke përfunduar garën sërish në vendin ku u bë nisja.
Aktiviteti filloi në orën 9:00 me mbledhjen e të regjistruarve në maratonë, ku pati një interes të tejkaluar nga pjesëmarrja e pritshme. Nisja e pjesëmarrësve u krye në orën 10:00 dhe 6 të rinj morën vendet e para, duke u vlerësuar me paketën e fituesve që përfshinte: medalje, certifikatën e fituesve dhe një çantë “Food Bank Albania”. Ndërkohë, pjesëmarrësit e tjerë patën mundësi të pajiseshin me bluzat e loguara “Solidariteti për Ushqim” dhe çertifikata pjesëmarrje.
Kategoria e vajzave pati tre fituese, me Rika Topin në vendin e tretë, Marinela Pajus në vendin e dytë dhe Mikaela Kolecin në vendin e parë.
Kategoria e djemve gjithashtu pati tre fitues, ku Altin Begolli triumfoi në vendin e tretë, Insan Murati në vendin e dytë dhe Redi Peqini në vendin e parë.
Maratona u përmbyll me praninë e figurave të rëndësishme si Ambasadori Hollandez Z. Reinout Vos, Presidenti i “FSHSU” Z. Besnik Veliu dhe Drejtori Ekzekutiv i “Food Bank Albania” Z. Luis Deliu, të cilët falenderuan të rinjtë pjesëmarrës dhe i ftuan ata të bëheshin pjesë e vazhdueshme e organizimeve ndërgjegjësuese, sportive, si edhe për mundësinë e vullnetarizmit në organizatat përkatëse.
Gjatë ditës së Hënë, 14 Tetor, në emisionin e mëngjesit “Wake Up”, i cili transmetohet në radion “Top Albania Radio” dhe televizionin “Top Channel”, Drejtori Ekzekutiv i “Food Bank Albania” Z. Luis Deliu, foli për pasojat e humbjeve dhe mbetjeve ushqimore, mënyrën e funksionimit të “Food Bank Albania” me zinxhirin e bashkëpunimit me biznese dhe organizata, si edhe për suksesin e maratonës së ditës së mëparshme.
Ndërkohë, Presidenti i “FSHSU” Z. Besnik Veliu u shpreh për maratonën “Solidariteti për Ushqim” se ndihej i lumtur për pjesëmarrjen e lartë të të rinjve, suksesin në rritje të aktiviteteve sportive organizuar nga “Federata Shqiptare e Sportit Universitar” dhe theksoi mundësinë e të gjithë studentëve për t’u përfshirë në kalendarin e aktiviteteve në vazhdim.