Ky aktivitet, i cili konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha sportive për të rinjtë në Shqipëri, u zhvillua në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ku bashkoi 87 garues nga 24 universitete të vendit.
Me organizimin nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar dhe mbështetjen bujare të Bankers Petroleum Albania Ltd dhe Ambasadës Kineze në Tiranë, kampionati jo vetëm që theksoi rëndësinë e Sportit Universitar, por gjithashtu shërbeu si një platformë për të nxitur konkurrencën e shëndetshme dhe bashkëpunimin midis studentëve vendas dhe të huaj.
Eventi mblodhi 87 garues, mes tyre 66 meshkuj dhe 21 femra, të cilët u sfiduan në ndeshjet plot emocione dhe adrenalinë.
Presidenti i Federatës së Sportit Universitar, Besnik Veliu, së bashku me përfaqësues të lartë të Ambasadës Kineze, 6 stafe akademike-administartive, vullnetarët dhe pjesëmarrësit dashamirës të sportit, morën pjesë në hapjen dhe zhvillimin e këtij kampionati duke dhënë një mesazh inspirues për të rinjtë dhe rëndësinë e sportit universitar si mjet për bashkëpunim dhe zhvillim.
Në kategorinë e meshkujve, triumfues doli Kejdi Kalaja nga Universiteti i Sporteve, i cili fitoi vendin e parë me një rezultat 2-1, duke u dalluar për teknikën dhe përkushtimin e tij në fushë, duke lënë pas Ilia Koton nga Universiteti i Tiranës në vendin e dytë dhe Erion Dautin nga Universiteti i Sporteve në vendin e tretë.
Ndërkohë, në kategorinë e femrave, vendin e parë e rrëmbeu sërisht si në Edicion e parë Samanta Agolli, duke mposhtur rivalet e saj me rezultatin 2-0, Elionela Hasani dhe Xhoana Kola përfunduan respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë.
Ky kampionat shërbeu si një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe kompanive për të mbështetur sportin dhe rininë. Përmes përfshirjes së madhe dhe organizimit profesional, Edicioni i Dytë i Kampionatit Universitar të Ping-Pongut konfirmoi rolin e rëndësishëm të Sportit Universitar në përgatitjen e të rinjve për sfidat e ardhshme, duke nxitur vlera si disiplina, bashkëpunimi dhe përkushtimi.