Në botën e sportit ndërkombëtar, “autonomia” nuk është vetëm një parim etik – është një kusht themelor për njohjen dhe funksionimin e organizatave sportive. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) e përfshin në Kartën Olimpike që nga viti 1949, dhe e konsideron thelbësore për të ruajtur integritetin dhe universalitetin e sportit. Autonomia sportive i jep organizatave të drejtën të vetëqeverisen, pa ndikuar nga qeveritë, partitë apo presionet e tregut. Ajo garanton që vendimet për trajnerët, sportistët, zgjedhjet apo disiplinën të merren sipas rregullave të sportit, jo sipas politikës të rradhës.
Kjo qasje u forca më tej në Rregullin 27.9, ku parashikohet se IOC mund të pezullojë ose të tërheqë njohjen e një KOK-u nëse ligjet ose rregulloret e një shteti pengojnë apo tjetërsojnë veprimtarinë e tij, si masë për të mbrojtur integritetin e Lëvizjes Olimpike. Duke shprehur këto pikëpamje, IOC i bën jehonë shkrimeve të themeluesit të saj, Pierre de Coubertin, i cili 100 vjet më parë shkroi se: “Vullneti i mirë i të gjithë anëtarëve të çdo grupimi sportiv autonom fillon të shpërbëhet sapo shfaqet fytyra e madhe dhe e paqartë e asaj krijese të rrezikshme të njohur si shteti” (Coubertin, 2009, p.152).
Për të kuptuar se sa dhe si parimi i autonomisë sportive zbatohet në praktikë, është e domosdoshme të shqyrtojmë kornizat ligjore që shtete të ndryshme kanë ndërtuar për të rregulluar sportin. Në këtë pikë, dallimet janë të mëdha, disa vende e trajtojnë sportin nëpërmjet një ligji të unifikuar dhe të posaçëm, ndërsa të tjerë mbështeten në legjislacionin e përgjithshëm:
Dallimi midis vendeve që kanë një ligj të unifikuar për sportin dhe atyre që nuk e kanë, lidhet ngushtë me traditat juridike, rolin e shtetit, filozofinë e qeverisjes dhe historinë e zhvillimit të sportit në secilin shtet. Në vendet si Italia dhe Franca ku mbizotëron një model ligjor civil sporti konsiderohet një e mirë publike. Në vendet post-socialiste (p.sh., Rumania, Shqipëria, Kroacia), ligjet e unifikuara dolën si pjesë e përpjekjeve për të ristrukturuar qeverisjen e sportit pas rënies së modeleve të centralizuara komuniste. Ligjet e këtyre vendeve janë miratuar pas ndryshimeve politike madhore, ku duhej riorganizuar e gjithë struktura e sportit në përputhje me standardet demokratike dhe me politikat e Bashkimit Evropian.
Në kontrast, vende si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda apo Kanadaja nuk kanë një ligj të vetëm që rregullon sportin. Kjo nuk do të thotë se sporti nuk rregullohet fare, por se ai trajtohet përmes legjislacionit të përgjithshëm – për shembull, përmes ligjeve që rregullojnë shoqatat, marrëdhëniet e punës, taksat, barazinë gjinore apo të drejtat e njeriut. Këto vende ndjekin një model liberal dhe autonom, ku organizatat sportive janë përgjithësisht të vetëqeverisura dhe gëzojnë autonomi të konsiderueshme, ndërsa shteti luan rolin e lehtësuesit dhe mbështetësit, duke u përqendruar në krijimin e një mjedisi ekonomik dhe shoqëror që favorizon zhvillimin e sportit si dhe të dimensioneve të tjera të jetës publike.
Pavarësisht nëse njihet me ligj apo vihet re në praktikë, është gjithashtu e dobishme të bëhet një dallim midis dy formave të autonomisë së organizatave sportive: horizontale dhe vertikale. Këto kufizime mbi autonominë e tyre pranohen lirisht nga organizatat e Lëvizjes Olimpike, e cila në fakt përkufizohet si të gjithë personat juridikë dhe fizikë që bien dakord të udhëhiqen nga Karta Olimpike (shih Rregullin 1 të kartës).
Në këtë kontekst, për të ruajtur rregullin, drejtësinë dhe autonominë në sport, IOC në vitin 1983 ngriti Gjykatën e Arbitrazhit për Sportin (CAS) me qendër në Lozanë. CAS trajton konfliktet ndërmjet sportistëve, federatave, komiteteve olimpike dhe organizatave të tjera. Vendimet e CAS-it janë të detyrueshme, të pranuara nga të gjitha organizatat që ndjekin Kartën Olimpike dhe nuk mund të apelohen në gjykatat kombëtare.
Megjithëse CAS u krijua për të garantuar drejtësi të specializuar në sport, ajo është sfiduar në disa raste historike. Në çështjet Meca-Medina (2006), Cañas dhe Kashechkin (2007), rregullat antidoping u sfiduan në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (ECJ). Megjithatë, kjo e fundit mbështeti organizatat sportive, duke riafirmuar autonominë e tyre dhe atë të Agjencisë Botërore Anti-Doping (WADA) për të përcaktuar rregullat anti-doping.
Rasti më i fundit, që sigurisht do t’i shtohet arkivës së kontestimeve të vendimeve të CAS, është ai i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), jo në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë por në një gjykatë shqiptare; Gjykatën e Apelit Tiranë.
Në janar 2021, KOKSH mbajti një Asamble të Jashtëzakonshme, duke miratuar vendime që prekën përfaqësimin dhe strukturën e brendshme. Këto vendime u kontestuan nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e cila iu drejtua CAS-it. Pas shqyrtimit, CAS vendosi në favor të FSHF-së dhe e shpalli të pavlefshme Asamblenë e KOKSH. Mirëpo, në vend që të zbatonte këtë vendim – siç e kërkon Karta Olimpike – KOKSH iu drejtua Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila vendosi të mos e njohë juridiksionin e CAS-it dhe la në fuqi vendimet e kontestuara.
Një Komitet Olimpik Kombëtar që kundërshton një vendim të CAS-it përmes një gjykate vendase, ndonëse vetë ka pranuar se CAS është autoritet përfundimtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, përbën shkelje të qartë të Kartës Olimpike dhe një akt të paprecedentë. Rasti i KOKSH-it rikthen në vëmendje problemet themelore të drejtësisë shqiptare.
Nëse një organizatë anëtare e familjes olimpike vendos të injorojë një vendim të CAS-it, duke u fshehur pas juridiksionit kombëtar, atëherë rrjedhimisht rrezikohet e gjithë arkitektura e sistemit sportiv ndërkombëtar. Ky precedent i krijuar në Shqipëri nuk është vetëm një krizë e brendshme por një test për besueshmërinë e institucioneve ndërkombëtare si IOC dhe CAS, të cilët nuk mund të lejojnë që heshtja e deritanishme të interpretohet si tolerim. Nëse nuk ka një qëndrim të qartë, atëherë legjitimiteti i vendimeve të CAS mund të cenohet edhe në vende të tjera, duke hapur derën për politizim, ndërhyrje shtetërore dhe anarki ligjore deri në zhbërje të Kartës Olimpike.
Ky është momenti kur komuniteti ndërkombëtar sportiv dhe veçanërisht vetë IOC duhet të sqarojë qëndrimin e tij. IOC në të kaluarën ka marrë masa të forta për shkelje të Kartës Olimpike: pezulloi Komitetet Olimpike të Panamasë (2007), Irakut (2008), dhe Kuvajtit (2009); refuzoi të njihte zgjedhjet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në vitin 2009 dhe ndërhyri me ndërmjetësim në vitin 2020 për të parandaluar një krizë të re institucionale. Ironikisht, pikërisht sepse Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka qenë më parë epiqendër e shkeljeve të Kartës Olimpike, heshtja e deritanishme e IOC mund të shpjegohet jo me indiferencë, por me njëfarë lodhjeje institucionale apo braktisjeje të heshtur.
Për sportin shqiptar, kjo është një mundësi për të dëshmuar pjekuri institucionale. Për të qenë pjesë e komunitetit olimpik nuk mjafton flamuri në ceremoni – nevojitet edhe përkushtimi i palëkundur ndaj parimeve që ky komunitet përfaqëson – integritet, drejtësi dhe respekt për institucionet që i garantojnë ato.
Në fund të fundit, drejtësia sportive nuk është vetëm për sportistët. Ajo është një pasqyrë e shëndetit demokratik të një shoqërie dhe pikërisht për këtë arsye, kjo çështje nuk mund dhe nuk duhet të heshtet.
Bibliografi: Chaker, A.-N. (1999). Study of national sports legislation in Europe, Council of Europe Publishing, Strasbourg. Chaker, A.-N. (2004). Good governance in sport. A European survey, Council of Europe Publishing, Strasbourg. Chappelet, J.-L. (2008). The International Olympic Committee and the Olympic system. The governance of world sport, Routledge, London. Coubertin, P. de (2009). Une campagne de vingt-et-un ans (1887-1908) [21-year campaign], Plon, Paris, p. 152 (Chapter XVI) (reprinted in Pierre de Coubertin Textes choisis under the direction of N. Müller). Weatherill, S. (2007). “On overlapping legal orders: What is the ‘purely sporting’ rule?” in The regulation of sport in the European Union (Bogusz B., Cygan A. and Szyszczak E., Editors), Edward Elgar Publishing, London, pp. 48-73. International Olympic Committee. Olympic Charter. 30 January 2025 ed., International Olympic Committee.