Nga Tirana në Varshavë, vullnetarët e FSHSU bëhen pjesë e shkëmbimit rinor 7 ditor përgjatë muajit Gusht
Përgjatë datave 20 – 26 Gusht të rinj nga Shqipëria, Kroacia, Sllovenia dhe Polonia morën pjesë në shkëmbimin rinor të realizuar nga Shoqata Europiane e Sporteve Universitare (EUSA) të realizuar si pjesë aktive e bashkëngjitur me kampionatin e Combat Sport 2025 të realizuar në Varshavë.

Kjo eksperiencë ndërkombëtare përfshiu punëtori realizuar në kuadër të shkëmbimit rinor me 26 të rinj nga katër shtete, si dhe mundësinë e vullnetarizimit në një kampionat ndërkombëtar. Përgjatë takimeve, të rinjtë dhe të rejat e përfshira u angazhuan, morën informacione dhe ndanë eksperienca mbi mundësitë e vullnetarizimit në EUSA, mbi rolet e vullnetarizimit në organizatat dërguese në vendet e tyre, mbi përballimin e sfidave dhe situatave të papritura, duke mos harruar ndarjen e emocioneve përgjatë ditëve të shpenzuara në Varshavë si pjesë e rëndësishme ndihmuese e organizimit të Combat Sport 2025.

Duke kaluar nga thyerja e akullit, në ndihmën përgjatë ditëve të kampionatit e deri në ditën e reflektimit, kjo javë e mbushur me shoqëri të reja, ju dha të rinjve të përfshirë aftësi të reja, kujtime të bukura dhe mbi të gjitha më shumë vetë besim në atë çka mund të arrijnë si skuadër.

Pesë të rinjtë nga Shqipëria, u kthyen në vendin e tyre me eksperiencë të re, për të ndihmuar sërish në role vullnetare në Combat Sport 2026, që do të zhvillohet në Shqipëri, duke ftuar miqtë e rinj të njohur në Varshavë për t’u bashkuar në vitin e ardhshëm dhe për t’u njohur me mikpritjen e ngrohtë të shqiptarëve.


