Shqipëria mori pjesë në Lojërat Botërore Universitare Rhine-Ruhr, një nga ngjarjet më të mëdha ndëruniversitare sportive në botë, që u zhvillua në Gjermani. Ky event mblodhi mbi 8,500 student-sportistë dhe zyrtarë nga më shumë se 150 vende, të cilët garuan për medalje në 18 sporte të ndryshme.
Delegacioni shqiptar në këtë ngjarje prestigjioze përfshinte dy atletë në atletikë dhe katër sportistë në taekwondo.
Në disiplinën e atletikës, Shqipërinë e përfaqësuan Elisa Myrtollari dhe Julian Vila, të cilët morën pjesë në garën e 100 metrave, duke përfaqësuar me dinjitet Universitetin “Fan Noli” dhe vendin tonë. Skuadrës iu bashkua edhe trajnerja e atletikës, Mariela Burda, e cila udhëhoqi dhe mbështeti sportistët gjatë garave.
Në taekwondo, përfaqësuesit ishin:
Tedi Likometi – fitoi 2-0 në raundin e dytë ndaj Kai Juiin Graham Oh nga Singapori, por u mund 1-2 në raundin e tretë nga Youngsuk Ethan Gun nga SHBA.
Ernest Merdanaj – fitoi 2-0 ndaj Ryan Hogg nga Australia, por u mund 0-1 nga Omer Faruk Dayioglu nga Turqia.
Gledis Buba – u mund 0-2 nga Bartosz Roman Szukalski nga Polonia.
Ibrahim Hidri – u mund 0-2 nga Muhammed Enes Sahin nga Turqia.
Një moment i veçantë për delegacionin shqiptar ishte prania e Presidentit të Federatës Shqiptare të Sportit Universitar, z. Besnik Veliu, i cili mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FISU dhe ndoqi nga afër ndeshjet e sportistëve shqiptarë në taekwondo, duke ofruar mbështetje dhe inkurajim të vazhdueshëm.
Kjo pjesëmarrje ofroi një eksperiencë të vlefshme ndërkombëtare për sportistët tanë dhe shërbeu si një platformë për zhvillimin e tyre sportiv dhe akademik në një nivel global.
Federata Shqiptare e Sportit Universitar mbetet gati për të mbështetur sportistët shqiptarë në çdo hap të rrugëtimit të tyre dhe për të promovuar sportin universitar në Shqipëri dhe jashtë saj.
Lojërat Botërore Universitare Rhine-Ruhr 2025 janë një event i rëndësishëm që bashkon mijëra student-sportistë nga mbarë bota, duke nxitur frymën e garës së ndershme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë skenë është një tregues i avancimit të sportit universitar në vend dhe një motivim për të vazhduar me përpjekje të palodhura.





















