REPORT TV: Z. Veliu, e para shumë faleminderit që pranuat intervistën!
Presidenti i FSHSU: Unë ju falenderoj ju, që na jepni mundësinë që edhe në të shprehim mendimin tonë në lidhje me problematikën që tashmë jam në dijeni.
REPORT TV: Në fakt ka patur një problematikë që ka lindur që nga Asambleja e fundit e KOKSH dhe është konkretizuar deri tani me një projekt-ligj që ka shkuar sëfundmi në Kuvend. KOKSH nëpërmjet projektit “Ekipet Sportive në shkolla”, dhe në universitete por që për momentin nuk është aplikuar, kërkon që të organizojë aktivitete sportive si në shkolla ashtu edhe në universitete. Kemi parë që edhe ju keni shprehur pakënaqësi për këtë situatë tashmë që projekt-ligji është në Kuvend, ju mendoni se mund të ketë një kthim mbrapa apo një zgjidhje të kësaj çështje?
Presidenti i FSHSU: Faleminderit për shumë për pyetjen! Ky është një shqetësim që ka kohë që ka prekur Federatën Shqiptare të Sportit Universitar dhe Federatën Shqiptare të Sportit Shkollor, pasi gjithçka është bërë jashtë dijenisë tonë, ku vetë iniciativa që është marrë për këtë projekt-ligj është marrë duke përjashtuar aktorët kryesorë, pra Federatën Shqiptare të Sportit Universitar dhe Federatën Shqiptare të Sportit Shkollor. Që këtu fillon zanafilla e një ligji të parregullt, të jashtëligjshëm, dhe pse jo absurd dhe abuziv. Në këto kushte, unë mendoj se kemi bërë të gjitha përpjekjet tona me institucionet përkatëse; Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Kuvendin e Shqipërisë, Ministrinë e Drejtësisë, dhe kemi shpresuar që këto institucione të rëndësishme që drejtojnë jetën politike dhe drejtësinë në vend të paktën të mund ta ndalnin këtë projekt-ligj abuziv, për të cilin mendoj se nuk ka të ngjashëm në ndonjë vend të botës. Nëse ka një të tillë unë tërhiqem, një projekt-ligj që të tjetërsojë KOKSH-in dhe ta vërë në pozitat e një Federate Sportive, që normalisht kjo konsiderohet një shkelje e statutit të KOKSH dhe një shkelje të nenit 27.9 të Kartës Olimpike. KOKSH është thjesht ombrellë e federatave sportive që harton plane, strategji zhvillimore dhe ndihmon federatat sportive. Në rastin e projekt-ligjit, KOKSH po merr rolin e federatave sportive, duke tjetërsuar edhe statutin e vetë. Kjo është e përveçshme në të gjithë botën, për të cilën ne i jemi drejtuar edhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, për këtë projekt-ligj sa absurd aq edhe ndëshkues për sistemin sportiv në Shqipëri. Nëpërmjet këtij projekt-ligji ne mendojmë se goditet rëndë sistemi sportiv në Shqipëri, sepse KOKSH po tjetërson rolin e vetë dhe po merr atributet e një federate sportive.
REPORT TV: Z. Veliu kjo çështje ka lindur pas projektit “Ekipet Sportive në shkolla”, apo është një çështje më e herët? Për tu ndalur në aktivitetet konkrete, çfarë organizohej më herët dhe çfarë mendoni se do të ndryshojë tashmë që aktivitetet sportive në shkolla dhe universitete do të organizohen nga KOKSH?
Presidenti i FSHSU: Ligji i Sportit 79/2017 “Për Sportin”, i ndryshuar, është i qartë dhe i pastër, aktivitetet sportive ekstrakurrikulare në shkolla dhe në universitete zhvillohen nga Federata Shqiptare e Sportit Shkollor dhe Federata Shqiptare e Sportit Universitar, dhe asnjë organizatë tejtër nuk ka të drejtë të zhvillojë këto aktivitete pa marrë më parë miratimin e këtyre federatave, pra për të zhvilluar aktivitete sportive në sistemin arsimor parauniversitar apo në sistemin e arsimit të lartë. Në këto kushte, ajo që kemi bërë; e para është detyra jonë ndaj studentëve, për ta kthyer të gjithë ambientin akademik aktiv nëpërmjet sportit, në mënyrë që universiteti mos të jetë vetëm shkollë por një institucion rinor shumë dimensional. Sporti është një prioritet i të gjitha vendeve të qytetëruara ku ne dëshirojmë të integrohemi, pikërisht për vlerat që mbart dhe impaktin që transmeton në shoqëri.
Federata Evropiane e Sportit Universitar e nisi me një Kampionat në 2017 dhe sot që flasim numëron 12 Kampionate meshkuj-femra, 2 projekte mbarëkombëtare Shqipëri-Kosovë, dhe projekte të tjera si Beachvolley, Zumba, Yoga, etj., me një pjesëmarrje shëmbullore në aktivitetet ndërkombëtare duke përfaqësuar sportin universitar qoftë në aktivitetet ndërkombëtare ashtu edhe në ato Evropiane.
Fakti është, ju mund ta drejtoni dhe kamerën tuaj, puna jonë është vlerësuar nga Federata Ndërkombëtare e Sportit Universitar, e cila e konsideron Shqipërinë si shteti ku sporti universitar po lulëzon, ndërkohë EUSA (Federata Evropiane e Sportit Universitar) e vlerëson Federatën Shqiptare të Sportit Universitar si federata më e mirë në Ballkanin perëndimor.
Për këtë arsye më bën çudi për hedhjen baltë ndaj punës të Federatës Shqiptare të Sportit Universitar nga ana e presidentit të KOKSH-it, për të cilin do ta mbush gojën tregon dyfytyrësi, pasi në marrëdhëniet e pozitive që kemi patur ne ishim Federata më e mirë, më punëtore dhe që krijonim një volum të jashtëzakonshëm, dhe sot hedh baltë mbi federatën tonë. Këto janë gjëra për të cilat nuk ja vlen të merremi me nivele të tilla, sepse të hedhësh poshtë punën dhe kontributin që e vlerësojnë ndërkombëtarët dhe nuk e vlerëson ai që duhet ta vlerësojë, kjo është veprim jashtëzakonisht i ulët dhe dashakeqës.
REPORT TV: Z. Veliu ju përmendët disa aktivitete që janë organizuar, por për të qenë deri në fund të themi “fair-play”, ka dhe akuza që Federata e Sportit Universitar nuk organizon asnjë kampionat, ndërkohë ju shprehni të kundërtën dhe për këtë jeni vlerësuar siç thoni ju?
Presidenti i FSHSU: Unë nuk jam mësuar të merrem me fjalë, por emri, puna dhe kontributi im vlerësohet nga vetë studentët, sot që flasim ja u thashë se çfarë bëjmë, dhe mbi të gjitha ne e kemi dokumentuar dhe raportuar çdo aktivitet që bëjmë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si detyrim ligjor për të raportuar aktivitetin tonë. Vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit na ka marrë si një federatë model, për federatat e tjera, që eksperiencën tonë ta transmetojmë tek federatat e tjera, dhe këtë jemi të gadshëm ta bëjmë. Ndërsa, palaçollëqet e një presidenti të KOKSH që e quajnë kampion të zhvillimit të sportit në Shqipëri, unë do ta konsideroja si shkatëruesin e sistemit sportiv në Shqipëri dhe në rastin e projektit “Ekipet Sportive në shkolla” si abuzuesin më të madh, që po i bën një dëm ekonomisë dhe sportit shqiptar.
REPORT TV: Kur kemi komunikuar për herë të parë, keni shprehur shqetësimin që KOKSH do të shkojë deri në atë pikë sa të marrë organizimin e kampionateve sportive në shkolla dhe universitete. Tani jemi në pikën që ky projekt-ligj është depozituar në kuvend. A mendoni se ka kthim mbrapa? A mendoni se mund të gjendet një zgjidhje për të ruajtur organizimin e sporteve nga federatat përkatëse, që në rastin tuaj jeni ju për sportin universitar?
Presidenti i FSHSU: Ne besojmë se ndërmjet njerëzve abuziv ka dhe njerëz pozitiv të cilët nuk mund ti mbyllin sytë përpara kësaj shkelje dhe abuzimi me Ligjin e Sportit. Ligji i Sportit njeh dy federata për sportin në sistemin arsimor, dhe pa lejen e tyre nuk mund të ketë mbivendosje qoftë nga KOKSH, qoftë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Me këtë projektligj edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit na paska të drejtë të organizojë aktivitete sportive, kjo është sa qesharake aq edhe e papranueshme. Unë them që do të ketë edhe deputetë që të paktën nuk do ti poshtërojnë kaq shumë ligjet ekzistuese. Po si ka mundësi që brenda një ligji të jetë edhe ligji që më njeh mua edhe ligji që njeh atë? Kë do të marrim si pikë referemi? Ligjin ezkistues? Ose KOKSH duhet të ndryshojë statutin dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit të shkeli me të dyja këmbët ligjet, dhe ta pranojë.
Megjithatë, Neni 27.9 i Kartës Olimpike, e thotë qartë: çdo Komitet Olimpik Kombëtar i një vendi përkatës që del jashtë parimeve të Kartës Olimpike, ndëshkohet deri në përjashtimin nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. KOKSH nuk pyet për ligjet ndërkombëtare, dhe nuk është se e mori malli për ekipet sportive në shkolla, pasi KOKSH nuk ka as strukturën as kapacitetet për të zhvilluar kampionate dhe aktivitete sportive, këto janë role të Federatave përkatese. Presidenti i KOKSH bëhet qesharak, kur thotë “federatat nuk bëjnë sport”, por çfarë bëjnë federatat? Unë po ja u bëj pyetjen juve që sjeni të përfshirë, çfarë bëjnë federatat, pse janë krijuar? Federatat organizojnë aktivitete sportive, federatat bëjnë sportin, dhe jo KOKSH apo Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Prandaj, sinqerisht shpresojmë dhe besojmë se projekt-ligji i sportit do të rishikohet edhe një herë, dhe nuk të arrijmë në këtë abuzim që na bën të ndjehemi të turpëruar edhe në sytë e ndërkombëtarëve, pasi synimi jonë i përbashkët është të shkojmë drejt Evropës dhe jo të bëjmë shpikje që nuk shkojnë. Secili në ligjshmërinë e vetë, ne kaq kërkojmë, atë që na takon.
Edhe një herë, për sa i përket çfarë bëjmë ne, presidenti i KOKSH ka qenë prezent në aktivitetet tona të dokumentuara me foto dhe video, me një pjesëmarrje masive të studentëve ku ai ka shprehur konsideratën për ne. Por, pasi ne nuk pranuar të bëhemi pjesë e paligjshmërisë së “Ekipeve sportive”, atëherë fillojë dhe hedhja e baltës ndaj nesh.
Por si është e mundur, Besnik Veliu president i FSHSU me 3 milion lekë që i jep MAS, përfshin mbi 13 mijë studentë gjatë një viti akademik, ndërkohë Fidel Ylli me 5 milion euro përfshin 12 mijë student? Ja bëni dot këtë pyetje Fidelit?
Unë jam i drejtuar Komitetit Ekzekutiv të KOKSH, kur për dijeni janë znj. Ministre dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke i thënë që këtë projekt që KOKSH e zhvillon me 5 milion euro, ne e zhvillojmë me 30% të këtij fondi duke përfshirë dhe sportin universitar. Fondi që mbetet, t’u jepet federatave që u takon, që janë përgjegjëse për zvhillimin e sportit në Shqipëri. Niveli i sportit është me keq se asnjëherë, jo siç thotë presidenti i KOKSH që thjesht përpiqet të japi një imazh, por nuk është ai realiteti, pyesni të gjitha federatat dhe do merrni këtë mendim që kam unë.
REPORT TV: Z. Veliu nëse nuk keni diçka tjetër për të shtuar, uroj që situata të zgjidhet.
Presidenti i FSHSU: Realisht për sportin universitar kemi shumë për të thënë, por do doja të theksoja një moment shumë të rëndësishëm. Ne vitin që kaloj zhvilluam Kampionatin Evropian të Futbollit Tirana 2023, ku erdhën 600 studentë nga shtetet më të rëndësishme të Evropës, dhe pavarësisht se ishte hera e parë që organizonim një event ndërkombëtar, kemi marrë mirënjohje nga EUSA si një nga Kampionatet më të bukura të organizuara në Evropë.
Nga ana tjetër, në vitin 2024 në Hungari u zhvilluan Lojërat Universtiare Evropiane, ku Federata Shqiptare e Sportit Universitar jashtë mundësive financiare, si asnjëherë tjetër arriti të çojë një delegacion prej 50 vetash, ndërkohë KOKSH-i me 5 million euro dhe burime të tjera që nuk i bën transparente çon vetëm 8 veta në Lojërat Olimpike. Ky është dallimi midis Federatës Shqiptare të Sportit Universitar dhe KOKSH-it abuziv, me presidentin e saj në kyre.
REPORT TV: Faleminderit shumë!
Presidenti i FSHSU: Ju falenderoj unë. Kemi shumë për të folur, por sinqerisht ju ftoj një herë tjetër sepse problematikat janë shumë të mëdha, jemi e vetmja Federatë në botë që nuk kemi një qendër sportive universitare. Faleminderit!
REPORT TV: Do dëgjohemi me kënaqësi! Faleminderit!