Federata Shqiptare e Sportit Universitar në bashkëpunim me Qendrën Universitare Sportive Italiane të Camerino (CUS Camerino) ka organizuar një aktivitet të përbashkët sportiv, kulturor dhe akademik nga 3 deri më 5 mars 2024.
Ky aktivitet rezulton nga përpjekjet e dy presidentëve, Prof. Besnik Veliu nga FSHSU dhe Dott. Steffano Belardinelli nga CUS Camerino, për të harmonizuar aspektin sportiv me atë kulturor dhe mbi të gjitha akademik.
Kjo ka mundësuar një takim tejet të rëndësishëm midis Rektorit të Universitetit të Camerino Prof. Graziano Leoni dhe Prof. Suzana Guxholli, të cilët janë angazhuar për një bashkëpunim të ardhshëm midis dy universiteteve.
Koordinator i aktivitetit ishte Avv. Helidon Jacellari, avokati i FSHSU, i cili në bashkëpunim të ngushtë me Presidentin Belardinelli dhe ekipin e tij, Zac Bafta dhe Edison Hoxha, hartuan një program të ngjeshur dhe intensiv me takime institucionale, akademike, me biznesin vendas dhe atë sportiv.
Një moment i veçantë ishte takimi me Presidentin e Rajonit Marche Z. Francesco Acquaroli dhe Këshilltaren e Rajonit Marche Znj. Lindita Elezi, e cila është gjithashtu e para shqiptare e zgjedhur në një nivel kaq të lartë përfaqësimi politik në Itali.
Me Presidentin Acquaroli u theksua rëndësia e aktiviteteve sportive, kulturore dhe akademike në thellimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Një takim i rëndësishëm u zhvillua edhe me Kryetarin e Bashkisë së Camerino Z. Roberto Lucarelli, i cili shprehu mbështetjen e tij për zhvillimin e bashkëpunimit midis dy federatave për projekte të ardhshme.
Gjithashtu, një rëndësi të veçantë pati vizita në Firmën Balducci, duke takuar Presidentin e saj Z. Franco Balducci dhe Administratorin e saj Z. Massimiliano Balducci, të cilët shoqëruan delegacionin shqiptar në fabrikën e tyre. Firma Balducci ishte një nga sponsorët e këtij aktiviteti dhe operon në Shqipëri prej gati 30 vitesh.
Në darkën përmbyllëse, organizuar nga CUS Camerino dhe Rotary Club Camerino, ishin të ftuar pjesëtar të institucioneve të lartpërmendura, biznesmenë, profesorë universitetesh dhe sportistë të ndryshëm.
Presidenti Veliu ne fjalën përshëndetëse theksoi vlerat që mbart sporti si dhe fuqinë integruese të tij.
Gjithashtu, u vlerësuan me dhurata mirënjohje, Presidenti Veliu, Rektorja Guxholli si dhe Kampionia italiane në ski Znj. Erica Biaggi.